Pesë vite nga fitorja e paharrueshme në Haifa, kuqezinjtë për suksesin e radhës ndaj Izraelit

10/06/2022 14:02

Kombëtarja kuqezi është gati për duelin me Izraelin, që do luhet sonte (20:45) në “Air Albania”, takim që do të transmetohet në Supersport 2.

Dueli i dytë në Grupin 2 të Ligës B në Nations League për Shqipërinë, që e nisi edicionin e tretë të këtij turneu me barazimin 1-1 ndaj Islandës në transfertë.

Hera e pestë që dy kombëtaret do të përballen me njëra-tjetrën, teksa në katër sfidat e mëparshme dy herë ka fituar Shqipëria dhe po kaq herë Izraeli. Pesë vite më parë, kuqezinjtë e Giovanni De Biasit triumfonin 0-3 në “Sammy Ofer Stadium” të Haifas.

Armando Sadiku realizonte dy gola të bukur në pjesën e parë, ndërkohë që Ledian Memushaj vuloste triumfin me “tris” në pjesën e dytë.

Ishte 11 qershori i vitit 2017, luhej për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018 dhe pas ndeshjes trajneri De Biasi jepte dorëheqjen, duke i dhënë fund 5 viteve e gjysmë në stolin kuqezi.

Nesër është 5-vjetori i asaj fitoreje të jashtëzakonshme dhe sonte të gjithë presin që kombëtarja të dhurojë një tjetër paraqitje pozitive ndaj të njëjtit rival, sigurisht shoqëruar me tre pikë./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA