Fëmija e dy prindërve që ishin vrarë barbarisht 40 vjet më parë në Texas, SHBA është lokalizuar dhe gjendet shëndoshë e mirë tha sot prokurori i shtetit amerikan.
“Baby Holly” Crouse, tashmë 42 vjeçare, nuk ishte gjetur bashkë me trupat e prindërve të saj në skenën e vrasjes së vitit 1981. Dyshja u identifikuan vetëm në vitin 2021 duke përdorur testet e ADN-së.
Në një konferencë shtypi policia e Texas tha sot se janë “të lumtur” që ajo është mirë, por hetimet vazhdojnë për zbulimin e autorëve të vrasjeve të prindërve të saj.
Misteri që rrethon ngjarjen ka bërë që zyrtarët të dyshojnë se përgjegjësit mund t’i përkasin një kulti të mistershëm fetar.
Tina Gail Linn Clouse dhe Harold Dean Clouse ishin vendosur në Florida, Texas pak para se të gjendeshin të vdekur në një zonë pyjore pranë qytetit të Houston.
Vetëm vitin e kaluar identitetet e tyre u konfirmuan me anë të grupit ‘Identifiers International’, qendra e policisë dhe fëmijëve të zhdukur në Florida e Arizona.
Në deklaratën e prokurorit të Texas u njoftua gjithashtu se rasti i vjetër kriminal kishte një zhvillim me gjetjen e ‘bebes Holly’ pas 42 vjetësh.
Ajo jeton tashmë në Oklahoma, dhe është nënë e pesë fëmijëve, por autoritetet nuk dhanë detaje të mëtejshme për të mbrojtur privatësinë e saj.
Zonjusha Crouse kishte mësuar për identitetin e saj për herë të parë kur policia erdhi për vizitë në vendin e saj të punës, në ditën që do të kishte qenë ditëlindja e 63-të e babait të saj.
Gjyshja e gruas e quajti lajmin e zbulimit të mbesës së saj “dhuratë ditëlindjeje nga qielli”, njoftonte policia.
Duke folur dje për gazetarët, prokurori i Texas Brent Webster tha se vajza ishte sjellë asokohe në kishë në Arizona nga dy gra.
Ai shtonte se prindërit e saj adoptues që kishin rritur Holly nuk dyshohet se kanë të bëjnë me vrasjet.
“Dy gratë e identifikonin veten si anëtare të një grupi nomad besimtarësh që kishin sjellë Holly te kisha,” tha ai.
“Ato mbanin veshje të bardha dhe ishin të zbathura.”
Anëtarët e grupit fetar thonin se besonin në ndarjen mes burrave e grave, në vegjetarianizmin dhe shmangien e mallrave të lëkurës, shtonte Webster.
Ato shtonin se më parë kishin lënë një bebe tjetër pranë një lavanterie.
Webster tha se një prej grave e quante veten “motër Susan” dhe kishte kontaktuar familjet e të dyja viktimave në 1980 apo 1981, duke i thënë se dyshja ishin bashkuar me grupin e tyre dhe kishin hequr dorë nga të gjitha zotërimet materiale.
Zonjusha Crouse pritet të udhëtojë së shpejti drejt Florida për t’u bashkuar me familjarët e nënës dhe të babait të saj.
Top Channel