Bllokohen 5 milionë euro pasuri në Elbasan/ I përkasin të dyshuarit për grabitjen e Rinasit, Gentian Sharra

10/06/2022 15:08

5 milionë euro pasuri mes tyre 1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, biznes fason dhe tokë arë me sipërfaqe rreth 32 mijë metra katror u sekuestruan nga policia e Elbasanit dhe prokuroria pasi dyshohet se rridhnin nga aktiviteti kriminal i 48 vjeçarit Gentian Sharra, i arrestuar së fundmi në operacionin “Plumbi i artë”.

Pasuritë ishin të regjistruara në emër të Gentianit dhe të babait të tij Mustafa Sharrës.

“Në kuadër të hetimeve pasurore për persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale, për pasuri dhe asete që dyshohen se i kanë burimet nga veprimtaria kriminale, bazuar në materialin procedural të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë  Elbasan në Prokurorinë e Rrethit Elbasan, gjatë vitit 2021 dhe në vijim, është finalizuar operacioni policor i koduar ‘Illegal assets’ dhe është bërë sekuestrimi i pasurive në emër të shtetasve Gentian  Sharra dhe Mustafa Sharra”, deklaroi Drejtori i Policisë Elbasan, Arduan Çipa.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij. Hetuesit po vijojnë punën për të  evidentuar të gjitha pasuritë që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

48-vjeçari rezulton i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike ndërsa emir i tij u përfol më së shumti pas grabitjes në pistën e avionëve në Rinas në prill të vitit 2019 ku viktimë mbeti Admir Murataj.

Në servisin që Gentian Sharra kishte në pronësi dyshohet se u modifikua furgoni me të cilin u krye grabitja e armatosur. Sharra është përmendur edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit si autor i disa grabitjeve në vend që prej vitit 2011.

Bazuar në dëshminë e këtij të fundit 48-vjeçari u arrestua nga policia e Elbasanit në maj të këtij viti, ndërsa këtë të premte iu sekuestrua pasuria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA