Banda mjekësore italo-shqiptare/ Përfshihen në hetim katër doktorë shqiptarë, ilaçet për tumorin futeshin përmes…

10/06/2022 16:26

Një rrjet kriminal që dyshohet se ka kryer mashtrim ndaj sistemit kombëtar shëndetësor Italian, është çmontuar ditën e sotme nga autoritetet gjyqësore në Itali e Shqipëri, ku të përfshirë janë edhe Shqiptarë.

Në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë dhe janë nën hetim katër mjekët shqiptarë E.P, A.V, V.P dhe I.P sipas burimeve të sigurta të gazetares së “Top Channel”, Anila Hoxhës

Ilaçet për tumorin futeshin përmes dy shqiptarëve që u hetuan në itali dhe që kanë kompani udhëtimi të quajtur N.Pulaj dhe A. Gjoka.

Ka dyshime se shkresat fiktive në bashkëpunim mes mjekëve shqiptarë nën hetim dhe atyre italianë po ashtu nën hetim realizuan paraqitjen e të sëmurëve “të rremë” për të cilët firmosej për medikamentin e fortë që më pas dërgohej në Shqipëri dhe shitej në tregun e zi.

Dy prokurorët shqiptarë që janë pjesë e njësisë tasfk force me italianët në këtë dosje Dorina Bejko dhe Vladimir Mara, udhëtuan gjatë javës së fundit në Itali.

Në Shqipëri nuk ka të arrestuar sipas burimeve të gazetares Anila Hoxha. Katër mjekët që janë të punësuar pranë qendrës spitalore dhe në klinika private janë nën hetim në gjendje të lirë.

Grupi i Organizuar Kriminal dyshohet se vepronte mes provincës së Milanos, në Itali, dhe Shqipërisë. Me bashkëpunimin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet italiane. Grupi organizuar kriminal u ofronte qytetarëve shqiptarë një sërë shërbimesh mjekësore të shtrenjta dhe të panevojshme që do të lejojnë hyrjen e jashtëligjshme në Itali.

Hetimi dokumentoi lëshimin e çertifikatave të rreme mjekësore që vërtetojnë nevojën e shtetasve shqiptarë për trajtim urgjent mjekësor jetëshpëtues në Itali, gjë që i lejoi të hyjnë në vend dhe të marrin shërbime mjekësore dhe farmaceutike në kundërshtim me ligjin. Mjekët e korruptuar dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin e organizuar kriminal në këmbim të parave ose shërbime seksuale.

Anëtarët e grupit organizuar kriminal gjithashtu dyshohen se janë të përfshirë në trafikun e barnave me përmbajtje narkotike, që e kanë marrë në mënyrë të paligjshme nga sistemi kombëtar shëndetësor italian dhe janë shitur në Shqipëri. Disa nga këto barna me përmbajtje narkotike ishin përdorur për të trajtuar pacientët me COVID-19, të cilat ishin shumë të kërkuara gjatë pandemisë.

Nga hetimet u konstatua regjistrimi i parregullt në sistemin shëndetësor kombëtar italian i të paktën 82 shtetasve shqiptarë ndërmjet janarit 2020 dhe qershorit 2021. Këta pacientë kanë marrë të paktën 383 shërbime ambulatore dhe 1,554 vizita të specializuara, qëndrime në spital dhe receta, në kundërshtim me ligjin.

Eurojust mbështeti autoritetet në Itali dhe Shqipëri me ngritjen dhe financimin e një skuadre të përbashkët hetimore (SPH) në mars 2022. U organizuan gjithashtu dy takime koordinuese nga Eurojust për të lehtësuar bashkëpunimin gjyqësor dhe për të ofruar mbështetje për koordiminimin e hetimit.
Gjatë aksionit të përbashkët më 10 qershor, në Itali u arrestuan 6 (gjashtë) të dyshuar dhe u sekuestruan mbi 500 000 euro nga llogaritë bankare dhe barna me përmbajtje narkotike të të dyshuarve në vlerë prej 20 000 euro.

Sot më datën 10 Qershor 2022, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me praninë e Oficerëve të Policisë Italiane, në zbatim të Vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë kryer 11 (njëmbëdhjetë) kontrolle në ambjetet e banesave, zyrave shtetërore (QSUT) dhe të subjekteve tregtare. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale dokumente mjekësore në gjuhën italiane, medikamente mjekësore dhe pajisje kompjuterike dhe prova të tjera me rëndësi për hetimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA