Gjykata e Lartë në Londër pasditen e sotme i dha dritë jeshile dërgimit të azilkërkuesve nga Anglia për në Ruanda përmes një fluturimi caktuar me datë 14 Qershor.
“Top Channel” mëson se nga 130 personat e parë që janë planifikuar të çohen në shtetin Afrikan janë edhe disa shqiptarë.
Në të shkuarën shqiptarët që shkonin në Angli dhe kapeshin liheshin të lirë më kusht për të firmosur në qendrat e emigracionit.
Muajin e fundit ata shqiptarë që janë kaluar duke mbërritur në shtetin ishull me gomone mbahen në qendrat e detencionit.
Deri në 130 persona janë njoftuar se mund të dërgohen në total ndërsa në avionin e 14 qershorit do të jenë 30 persona.
Gjykatës iu tha gjithashtu se një fluturim i dytë mund të planifikohet për të enjten.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, ka një sërë shqetësimesh në lidhje me procesin e azilit në Ruandë, duke përfshirë aksesin diskriminues në azil, përfshirë për personat LGBT, mungesën e përfaqësimit ligjor dhe përkthyesve, dhe vështirësitë në apelim.
Aktivistët thanë se plani i qeverisë nuk ishte “i sigurt” dhe avokatët për gati 100 migrantë paraqitën sfida ligjore duke kërkuar të qëndronin në MB.
Top Channel