Hysen Pici nga Shijaku, mbrëmjen e së enjtes ka qenë duke lëvizur me një mjet Range Rover në lagjen nr 1 në Durrës kur një patrullë e forcave operacionale të veshur me jelekë policie dhe me makinë me fenelina i bënë shenjë për të ndaluar.
Pici i cili në brez kishte një armë pa leje nuk iu bind urdhrit të policisë dhe i dha gaz makinës duke marrë para punonjësit e policisë.
Një prej tyre pësoi fraktura të rënda dhe ndodhet në spital. Policia u detyrua të qëllojë në ajër për të neutralizuar të dyshuarin i cili braktisi mjetin dhe vijoi lëvizjen në këmbë.
Top Channel ka mundur të sigurojë pamje nga kamerat e sigurisë që kanë fiksuar arratisjen e tij nëpër lagje e cila zgjati vetëm pak minuta.
Ai do të përballet me drejtësinë për kundërshtim të punonjësve të policisë, plagosjes së një prej tyre dhe armëmbajtjes pa leje
Pavarësisht ashpërsimit të Kodit penal i cili e dënon armëmbajtjen pa leje në publik me maksimumi 7 vite burg dhe armëmbajtjen pa leje në banesë me 4 vite burg, sërish ky fenomen mbetet shqetësues në vend.
Në vetëm 5 muajt e parë të këtij viti në operacione e kontrolle të ndryshme policia e shtetit ka sekuestruar 175 armë zjarri pa leje.
Top Channel