Turi i takimeve informuese për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste vijoi në Njësinë 1, ku drejtuesi politik për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Eduard Shalsi, zhvilluan një bashkëbisedim me asamblenë socialiste aty.
Nga lagjja “Ali Demi”, Veliaj tha se koha ka treguar se Partia Socialiste është forca më progresiste dhe më modernizuese në vend.
Ai shtoi se Tirana ka humbur shumë kohë për shkak të bllokimit të punëve nga dyshja Meta-Berisha. Duke bërë një paralele mes procesit të zgjedhjeve brenda PS-së me ato të opozitës, Veliaj nënvizoi se një forcë politike që i vë zjarrin selisë së saj, nuk mund të punojë për Shqipërinë.
“Edhe zgjedhjet brenda familjes së tyre ata i kanë me shkatërrim. Ti kupton që këta shkatërrojnë edhe selinë e tyre, me sherr i kanë edhe zgjedhjet. Prandaj, edhe punët e qytetit duan t’i prishin me sherr. Ti je i lirë të shkatërrosh partinë tënde, t’i vësh zjarrin partisë tënde, por jo të djegësh goma, të bllokosh njëherë projektin e Lanës, pastaj ‘Shqiponjën’”, tha ai.
Veliaj theksoi se të njëjtët njerëz bllokojnë çdo punë të mirë në Tiranë.
“Siç ka autor një vepër e mirë, ashtu edhe një vepër e keqe ka autorin e saj. Janë ata që bllokojnë në mënyrë konstante. Siç pamë bllokime te Zogu i Zi dhe zgjatimi i Lanës këtej nga ana e lindjes, po ashtu edhe të Astiri dhe zgjatimi i Lanës në drejtim të perëndimit. Janë po të njëjtët personazhe që bllokojnë: Ilir Meta-Sali Berisha. Qartazi raca politike brenda shqiptarisë kështu qenka ndarë. Një grup që duhet të punojë, dhe një grup tjetër që vë stërkëmbësha, pengesa, bllokime, justifikime pse një gjë nuk duhet të bëhet. Ndaj, është gëzim i madh që i shohim këto projekte që po bëhen tani, por pyetja është pse duhet të na ikin tre gjenerata deri në përfundim të tyre. Pse duhet të kalojnë 20 vjet që të bëhet zhbllokimi i banesave sociale. Pse duhet të jetë kaq e vështirë që të bësh punë të mira në këtë vend”, tha Veliaj.
Ndërkaq, Partia Socialiste është përfshirë edhe në një proces digjitalizimi, që do të rrisë komunikimin me strukturat e partisë dhe publikun. Veliaj u ndal edhe në çështjen e patronazhistëve.
“Ka ardhur koha që, siç Edi Rama ka modernizuar shtetin, dhe siç kemi modernizuar shumë segmente të Bashkisë, të modernizojmë edhe partinë në epokën digjitale. Unë e di këto portalet e shajnë punën e patronazhierit, por tipikisht shajnë një gjë që na funksionon. Unë zakonisht sa herë që më shajnë për ndonjë gjë them: “Po shumë mire, po shajnë Kopshtin Zoologjik sepse nuk e bënë dot vetë; shajnë pastrimin e Tiranës sepse sigurisht sot Tirana është më e pastër; shajnë transportin sepse e morëm Tiranën me 10 autobusë dhe sot kemi 400. Asgjë prej këtyre që përmenda nuk është perfekte, po tipikisht ata shajnë një gjë që funksionon më mirë dhe që i bën ata të duken keq. Prandaj, nëse ata merren me patronazhimin, me platformën tonë online, ky është komplimenti ynë më i madh. Ata merren me armën tonë fituese”, deklaroi Veliaj.
Drejtuesi politik i PS për Qarkun, Erion Veliaj ka nisur një tur takimesh informuese, së bashku me deputetët e njësive të Tiranës, për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj në të gjitha strukturat e qarkut.
Top Channel