Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi të enjten në Sofje se blloku është “shumë i frustruar” për shkak të mosgjetjes së një zgjidhjeje mes Sofjes dhe Shkupit për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit me kryeministrin bullgar, Kiril Petkov, komisionari Varhelyi tha se është në Bullgari për të katërtën herë në gjashtë muajt e fundit për të kërkuar zgjidhje për kontestin, në mënyrë që të mund të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut evropian.
Ai tha se BE-ja ende beson se mund të gjendet një zgjidhje në muajin qershor dhe se për këtë pret mbështetjen e Bullgarisë.
Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Ende nuk ka zgjidhje, gjë që është shumë frustruese për ne, sepse nuk mund të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit. Unë jam ende në pritje të mbështetjes nga Bullgaria dhe jemi duke punuar për të gjitha këto bisedime që i kam këtu në Sofje, si dhe rregullisht në Shkup, për të qartësuar dhe forcuar përfundimisht perspektivën evropiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Samiti i Këshillit Evropian, në qershor, është i rëndësishëm dhe ne dëshirojmë të shohim një marrëveshje të arritur”, ka deklaruar Varhelyi, sipas agjencisë bullgare të lajmeve, BGNES.
Bullgaria fillimisht kontestonte gjuhën dhe identitetin maqedonas duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në të kaluarën e tyre. Por, tani kërkesa kryesore e saj ka të bëjë me të drejtat e pakicës bullgare duke kërkuar përfshirjen e tyre në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov deklaroi, të enjten në Sofje, se i konsideron të rreme informacionet se dëshiron të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke komentuar deklaratën e ministres së dorëhequr të Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska, se kryeministri “po synon heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut duke anashkaluar partnerët qeveritar dhe konkluzionet e Parlamentit bullgar”, Petkov tha se asnjëherë nuk do të merrte vendime të njëanshme dhe se janë të qarta kërkesat që duhet të përmbush Shkupi për heqjen e vetos.
Partia e Slavi Trifunovit, “Ka një popull të tillë” është larguar nga qeveria duke nxitur kështu zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndonëse kryeministri Petkov beson se do të drejtojë një qeveri të pakicës.
“Dua të bëj të qartë se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për përparimin në çështjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut – respektimin e qëndrimit kornizë të miratuar nga Parlamenti bullgar, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut për të mbrojtur të drejtat e tyre, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Këto janë çështje shumë të qarta”, tha kryeministri Kiril Petkov, pas takimit në Sofje me Komisionarit të BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut thotë se pavarësisht zhvillimeve në Bullgari, mbeten të përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme me Sofjen.
Prishja e koalicionit qeveritar në Sofje vjen dy ditë pas vizitës së ministres së Punëve të Jashtme, tashmë të dorëhequr,Teodora Gençovska në Shkup dhe optimizmit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani se dy vendet janë në rrugë të mbarë për kapërcimin e dallimeve dhe heqjes e vetos bullgare.
Top Channel