Me një njoftim zyrtar në mbrëmjen e së mërkurës Organizmi Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar rastin e parë në Greqi me linë e majmunëve.
Bëhet fjalë për një person që së fundmi kishte udhëtuar drejt Portugalisë dhe tashmë ndodhet në spitalin “Andreas Syggros” të kryeqytetit.
Atij i është kryer testi fillestar në Laboratorin Qendror të Shëndetit Publik, i cili ka rezultuar pozitiv, ndërsa rezultatet priten edhe testi i dërguar në Laboratorin e Mikrobiologjisë së Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Aristotelis të Selanikut për konfirmimin gjenomik të virusit të lisë së majmunit.
Pacienti thuhet se trajtohet në kushte izolimi në spital dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi sot është se dyfishuar brenda disa ditëve numri i rasteve me linë e majmunëve në 29 vende të botës.
“Më shumë se 1000 raste të konfirmuara të lisë së majmunit janë raportuar tani nga OBSH në 29 vende që nuk janë endemike për sëmundjen. Deri më tani, nuk është raportuar asnjë vdekje në këto vende”, tha Drejtor i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ndërsa në Greqi Organizmi Kombëtar i Shëndetit Publik thekson se “sipas të dhënave epidemiologjike të disponueshme deri tani, rreziku për popullatën e përgjithshme është ende i ulët, pasi sëmundja është zakonisht e lehtë dhe vetëkufizuese dhe karakterizohet nga transmetueshmëri relativisht e ulët”.
Top Channel