Ish i internuari gjatë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, Simon Mirakaj ka reaguar, pasi kandidatura e tij si anëtar i Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit u rrëzua këtë të enjte në Kuvend.
Ai ironizoi veprimin e grupimit të Enkelejd Alibeajt.
“Atyre deputeteve e deputeteve te grupi te Alibejt qe vine nga shtresa e te perndjekurve qe votuan kundra meje cfar te ju them.Ata s’paten kurajon me votu edhe pse marrveshjen e kishin ba qe ne votim do me rrxonin deputet e Majt”, reagoi sërish Mirakaj.
Socialistët vendosën të rrëzojnë kandidaturën e Mirakajt pasi ai u propozua në Kuvend me firmën e Sali Berishës.
64 deputetë votuan kundër, vetëm 17 pro dhe një ka abstenuar. Socialistet më parë kërkuan që propozimi të vinte në Kuvend pa firmën e Berishës.
Ata kanë theksuar se asnjë propozim i personave ‘non grata’, në këtë rast i Berishës në Kuvend nuk do të pranohet.
Para disa ditëve, në Komisionin e Ligjeve socialistët e votuan kandidaturën e Simon Mirakajt për të qenë anëtar i autoritetit të dosjeve edhe pse mes firmave mbështetëse për emrin e tij figuronte ajo e Sali Berishës.
Ndërsa deputetët që mbështesin linjën e Enkelejd Alibeaj sqaruan më parë se nuk kanë asgjë kundër figurës së Simon Mirakajt, por janë kundër firmës që e mbështet.
Top Channel