Raportet e Kosovës me Greqinë po zbuten dita-ditës pohoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një takimi që pati mbrëmjen e së mërkurës ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.
“Marrëdhëniet e Kosovës dhe Greqisë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kënaqësi që prita në darkë mbrëmë, ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dendias”, shkroi Kurti në Twitter.
Kosova e ka kërkuar prej një kohe të gjatë njohjen nga Greqia, e cila ende mungon, pavarësisht faktit që vizitat e ndërsjella mes zyrtarëve të të dy vendeve, së fundi janë shpeshtuar.
Të mërkurën, Dendias në Kosovë u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani. Kurti nga ana e tij, u takua me kryediplomatin grek pas kthimit nga një vizitë në Britaninë e Madhe.
Një ndër temat në të cilat u fokusua biseda e tyre ishte dhe energjia, që vazhdon të mbetet një problem në Kosovë, e padyshim u përmend dhe dialogu Kosovë-Serbi, si dhe perspektiva europiane e vendit.
Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës, por ruan një qasje konstruktive në rrafshin politik dhe atë ekonomik.
Top Channel