Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se e mbështet çdo nismë rajonale që bazohet në rregullat e Bashkimit Europian dhe që ka për qëllim fuqizimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Komenti i DASH erdhi pas takimit të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të “Ballkanit të Hapur”. I pyetur nga REL, një zëdhënës i departamentit nuk pranoi të komentonte mungesën e pjesëmarrjes së Kosovës në takim por tha se “bashkëpunimi më i ngushtë dhe më i integruar në të gjithë Ballkanin Perëndimor do të tërheqë investime në energji, banka, prodhim, shërbime dhe sektorë të tjerë në një treg prej 20 milionë punëtorësh dhe klientësh të arsimuar në zemër të Europës”.
“Shtetet e Bashkuara i mbështesin këto dhe nisma të tjera plotësuese, të cilat kolektivisht thellojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe avancojnë rrugën europiane”, tha DASH.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia të mërkurën nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Edhe pse kishte ftesë për pjesëmarrje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e refuzoi këtë takim pasi tha se Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
Kurti tha se “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Kryeministrat e Malit të Zi dhe të Bosnjë e Hercegovinës morën pjesë në këtë samit në rolin e vëzhguesve, ndërsa nuk e fshehën mbështetjen për “Ballkanin e Hapur”.
Top Channel