Në muajin maj, kancelari gjerman Olaf Scholz e refuzoi ftesën e Volodymir Zelenskyt për të vizituar Kievin, në përgjigje të kundërshtimit që presidenti ukrainas i bëri vizitës së kreut gjerman të shtetit, Frank-Walter Steinmeier.
Megjithatë, dy liderët kanë zhvilluar së fundi një bisedë telefonike, ku sic tha Zelensky, ka biseduar hapur me shefin e ekzekutivit gjerman për shqetësimet e tij lidhur me trajtimin e të burgosurve të luftës nga Rusia.
“Diskutova për rritjen e mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën dhe për t’u siguruar për sigurinë globale të ushqimit. Ngrita çështjen e respektimit të ligjeve ndërkombëtare nga ana e Rusisë në trajtimin e të burgosurve të luftës. Theksova rëndësinë për vendimet për integrimin e Ukrainës në Bashkimin Europian”, tha Zelensky.
Zelensky nuk dha detaje të mëtejshme për këtë bisedë. Media shtetërore ruse TASS raportoi një ditë më parë se mbi 1,000 ushtarë ukrainas, të cilët janë dorëzuar në qytetin-port të Mariupolit, tani po mbahen në territorin rus dhe po hetohen.
Rusia sakaq pretendon se ka hapur një korridor tokësor nga Krimeja e aneksuar prej saj në 2014-tën, duke lejuar civilët dhe mallrat të kalojnë nëpër territorin lindor të Ukrainës.
Ministri rus i mbrojtjes tha se ushtria, në bashkëpunim me kompaninë qendrore ruse të hekurudhave ka rikthyer 1200 kilometra shina treni dhe ka hapur rrugë për të lejuar “një qarkullim të plotë” midis Rusisë, rajonit të Donbasit të Ukrainës lindore dhe Krimesë.
Trupat ukrainase sakaq janë përfshirë në beteja të ashpra nëpër rrugë me forcat ruse në Severodonetsk, ku pamjet satelitore nga Maxar Technologies tregojnë se sulmet ushtarake kanë goditur të paktën dy spitale.
Top Channel