Në Ohër mbahet këtë të mërkurë dita e dytë e samitit të “Ballkanit të Hapur”.
Një ditë më parë, u takuan kryeministri Edi Rama me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski; kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç; presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Tegeltija, Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, në Ohër, në kuadër të Ballkanit të Hapur.
Sot pritet nënshkrimi i katër marrëveshjeve të bashkëpunimit për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.
Përfaqësuesit e Bosnjës dhe Malit të Zi janë në rolin e vëzhguesit, ndërsa pritet që Abazoviç të japë konfirmimin e futjes së Malit të Zi apo jo në Open Balkan.
Abazoviç është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij pasi nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkanit të Hapur.
Tri nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Top Channel