Në intervistën e saj të parë që prej lënies së postit, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e mbrojti politikën që ka ndjekur ndaj Rusisë dhe e bëri të qartë se nuk fajëson aspak veten për situatën në Ukrainë.
Merkel tha se ndien një “trishtim të madh” që përpjekjet gjermano-franceze rreth marrëveshjes së paqes të Minskut me Rusinë nuk funksionuan. Megjithatë, ajo insistoi për ARD se nuk ka qenë naive lidhur me presidentin rus dhe se “diplomacia nuk mund të jetë gabim gabim për faktin që nuk funksionoi”.
“Nuk e kuptoj pse duhet të them se ishte gabim dhe të kërkoj falje për këtë. Nuk e di çfarë do të ishte fituar nëse Putini thjesht do të bënte si të donte në 2014-tën, pa e vënë askush ujin në zjarr”, tha Merkel.
Marrëveshjet e paqes të Minskut, të arritura më 2014 dhe 2015, kishin për qëllim të zgjidhnin konfliktin në lindje të Ukrainës midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare ukrainase.
Liderët e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës u takuan nën të ashtuquajturin Format të Normandisë, duke kërkuar që t’i jepnin fund konfliktit. Por, këto pakte nuk u zbatuan plotësisht. Duke folur për situatën aktuale, Merkel tha se nuk ka asnjë justifikim për “mospërfilljen brutale të ligjit ndërkombëtar” nga Rusia.
“A kemi mundur të bëjmë më shumë që të parandalojmë këtë, që unë tani po e quaj tragjedi të madhe. Prandaj ju vazhdoni të pyesni pse, dhe unë natyrisht që vazhdoj t’i bëj këto pyetje”, tha Merkel.
Ish-kancelarja e pohoi se ka qenë kundër idesë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, pikërisht me qëllimin të shmangej një përshkallëzim i situatës me Rusinë, si edhe për faktin që ky vend nuk ishte gati t`i bashkohej aleancës ushtarake.
Presidenti Zelensky po e lufton sot korrupsionin, por asokohe Ukraina qeverisej nga oligarkët, e nuk mund ta afronim. Nuk ishte Ukraina që njohim sot, por një vend shumë, shumë i përçarë politikisht, u shpreh ajo.
Top Channel