Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Drejtësisë marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin e provës, Veliaj: Rehabilitimi me punë për interes publik, risi

08/06/2022 15:25

Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me zbatimin e dënimit alternativ për personat e dënuar që ta shlyejnë atë duke kryer punë për interes publik. Kjo nismë është një risi që do të pilotohet për herë të parë në Tiranë dhe marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo formë rehabilitimi është shumë herë më e pranushme për të miturit, të cilët kështu mësojnë të bëjnë diçka të dobishme edhe për shoqërinë.

“Jemi shumë të lumtur nga qasja e ministrit Manja, për t’u larguar nga filozofia e vjetër e dënimit me burg për gjithçka, sidomos kur bëhet fjalë për të miturit. Rehabilitimi është shumë herë më i pranueshëm dhe më civil sesa burgu. Në Tiranë kemi 3500 dënime, nga të cilat 700 janë me orë pune në komunitet. Nga kjo listë e gjatë për shlyerjen e dënimit, 700 qytetarë lirohen nga detyrimi që kanë ndaj shoqërisë dhe ligjit duke kryer diçka të dobishme, edhe për vetvlerësimin e tyre. Mezi pres që këto risi që kemi futur në Tiranë t’i çojmë edhe në qytetet e tjera, sidomos tani që fillon sezoni i plazhit sepse ka nevojë për pastrim, gjelbërim, mirëmbajtje etj”, tha kreu i Bashkisë.

Këtë vit që Tirana është “Kryeqyteti Evropian i Rinisë” dhe po zhvillohen mijëra aktivitete, kreu i Bashkisë tha se është një shans i mirë për të riintegruar këtë pjesë të shoqërisë. Veliaj shtoi se Tirana zhvillon çdo ditë aktivitete të shumta, që kanë nevojë edhe për vullnetarë. “Bëhet fjalë për një maksimum 240 orë pune, të atyre që kanë kryer vepra të dënueshme, por jo të nivelit kriminal dhe me rrezikshmëri për shoqërinë. Dikush që mund ta ketë tepruar me alkoolin pas një darke apo një feste, dikush që e ka tepruar me shpejtësinë dhe mund të ketë prishur një pronë publike si shtylla apo kangjella. Mezi pres që, duke filluar nga kjo stinë, ku ne do të kemi një pafundësi aktivitetesh edhe si Kryeqyteti Europian i Rinisë, të mirpresim ata bashkëqytetarë të cilët besoj riintegrohen në një mënyrë shumë herë më dinjitoze, duke bërë diçka fisnike në kthim të detyrimit për komunitetin”, nënvizoi Veliaj.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha kjo marrëveshje ka një përfitim të dyanshëm, si për qytetarët që duhet të kryejnë dëmimin e tyre, ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.

“Ne do të vëmë në dispozicion të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të gjithë personat e dënuar në konflikt me ligjin, por edhe të miturit e dënuar në konflikt me ligjin me dënim alternativ, punë-interes-publik që ta shlyejnë këtë dëm që i kanë shkatuar interesit publik nëpërmjet punës. Kjo aplikohet në të gjitha vendet e Europës dhe shkon me përputhje edhe me qëllimin e dënimit, që është rehabilitimi dhe riintegrimi social i personave të dënuar në konflikt me ligjin. Përfitimi nga kjo marrëveshje është dyanshëm. Për ne si Ministri e Drejtësisë, si Shërbimi i Provës që mbikqyrin këto dënime, është rehabilitimi dhe integrimi në kohë i këtyre personave, ndërsa publiku, shoqëria në krahun tjetër, kompesohet për dëmin që i kanë shkaktuar këta persona”, përfundoi Manja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA