Nga një prej figurave më ngurruese për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, presidenti francez Emmanuel Macron po jep shenja kthese, e me njoftimin e fundit tregoi se është duke kërkuar në mënyrë aktive zgjidhjen e ngërçit që ka bllokuar rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt bllokut.
Shefi i Elizesë njoftoi se ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Macron u shpreh i gatshëm t’i thërrasë ata në Paris, “që kur të vijë koha”, përfaqësuesit e autoriteteve në Sofje dhe Shkup të përfundojnë një marrëveshje dypalëshe e cila do të mundësonte fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian.
“Franca, që do të kryesojë Këshillin e BE-së deri në fund të këtij muaji, ka nxitur javët e fundit gjetjen e një zgjidhjeje të mosmarrëveshjeve mes dy palëve”, citohet të ketë thënë ai.
Në një deklaratë të Elizesë, thuhej gjithashtu se kreu i shtetit francez shprehu “mbështetjen e plotë për një ujdi mes palëve e cila të kontribuonte në marrëdhëniet e fqinjësisë së mire dhe do të konkretizonte perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut”.
Në fillim të majit, Macron çuditi me propozimin e tij para Parlamentit Europian në Strasburg dhe pak më vonë në Berlin se BE-ja nuk mund të jetë i vetmi mjet për strukturimin e kontinentit.
Ai propozoi një “komunitet politik evropian” për ato shtete që nuk janë pjekur për anëtarësim në BE. Sipas Macronit një qasje e tillë do t’i lejonte Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Ballkanit Perëndimor dhe “atyre që janë larguar nga BE” të bëhen më shpejt pjesë e një Europe politike.
“Është një mënyrë për të ankoruar vendet që janë gjeografikisht në Europë dhe që ndajnë vlerat tona”, tha ai. Macroni propozoi me fjalë të tjera një nivel të dytë bashkëpunimi me BE, ku shtetet do të trajnoheshin për anëtarësim në BE, por ky propozim u pa si pa shumë shanse të mëdha për t`u zbatuar.
Top Channel