Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të martën se Kievi nuk do të pranonte një situatë ngërçi në fushën e betejës me Rusinë dhe se synon të rimarrë kontrollin e të gjithë territorit të pushtuar nga Moska.
“Kemi humbur shumë njerëz që të pranojmë të dorëzojmë territorin tonë,” tha ai duke marrë pjesë përmes videos në një diskutim të organizuar nga gazeta Financial Times.
Ai shtoi se një bllokim “nuk ishte alternativë” për Kievin.
“Ne synojmë çlirimin e plotë të të gjithë territorit tonë,” tha zoti Zelenskiy.
Kievi ka thënë se forcat ruse kanë marrë kontrollin e rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë pjesë të saj në lindje dhe jug.
“Ne nuk do të poshtërojmë askënd, ne do të përgjigjemi me të njëjtën monedhë,” tha presidenti Zelenskiy, kur u pyet në lidhje me komentin e presidentit francez Emmanuel Macron për të mos “poshtëruar” Rusinë, në mënyrë që të mbahet e hapur mundësia për një zgjidhje diplomatike.
Moska i ka përqendruar përpjekjet e saj në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut, që së bashku përbëjnë Donbasin, pasi forcat e saj u mundën në periferi të Kievit në mars dhe u larguan nga Kharkivi, qyteti i dytë më i madh, muajin e kaluar.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha të martën se forcat ruse kanë “çliruar”, siç u shpreh ai, 97% të rajonit të Luhanskut.
Megjithëse forcat e Kremlinit kanë fuqi më të madhe ushtarake, forcat ukrainase kanë rezistuar dhe kanë shfaqur aftësinë për të kundërsulmuar.
Zoti Zelenskiy shprehu gjithashtu kënaqësinë që kryeministri britanik Boris Johnson i kishte mbijetuar votëbesimit të hënën. Vetë zoti Johnson tha në mbledhjen e qeverisë të martën se fuqitë botërore nuk duhet të bëjnë presion ndaj presidentit ukrainas Zelenskiy që të pranojë një marrëveshje paqeje të pafavorshme me presidentin rus Vladimir Putin./VOA
Top Channel