Kryeministri Edi Rama në kuadër të Samitit të Ohrit ka zhvilluar takim me homologun e tij malazez, Dritan Abazoviç dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill.
Ai thekson se Mali i Zi futet sot zyrtarisht në Ballkanin e Hapur. Rama shton se Hill është prej kohësh një mik i Shqipërisë dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur.
“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazovič, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, tha Rama.
Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të takohen sot në Ohër, në takimin e radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.
Në 7 dhe 8 qershor, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.
Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve të tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.
Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviç. Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkanit të Hapur.
Tre nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Sipas informacioneve, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit të pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (nga njohuritë dhe aftësitë e arsimit të avancuar në atë të lartë).
Specifikohet se diplomat në Shqipëri do të njihen nga Qendra për shërbime arsimore në Ministrinë e Arsimit, në Serbi nga Agjencia për kualifikime për njohje profesionale, si dhe në Maqedoninë e Veriut nga Njësia për njohjen e diplomave profesionale e Ministrisë së Arsimit.
Tri anëtaret e “Ballkanit të Hapur”, ftojnë edhe me këtë rast vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen marrëveshjes.
Top Channel