Vizita e kryeraportuesit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Peter Beyer u lajmërua se kishte si qëllim integrimin ne BE, por me kalimin e orëve misioni u duk se ishte krejt tjetër .
Takimi me kryetaren e Komisionit të Integrimit, demokraten Jorida Tabaku, nuk ishte çudi, por çudia ishte tek një tjetër takim, ai me Ilir Metën i cili mezi pret të marrë flamurin e kryeopozitarit.
Ndërsa surprizoi me takimin me presidentin në largim, zyrtari i Bundestagut befasoi kur refuzoi t’i japë dorën Sali Berishës.
“Ne jemi thellësisht të bindur se nuk e përfytyrojmë dot, dhe e shohim të paimagjinueshme të bashkëpunojmë me një parti udhëheqja e së cilës apo kryetari i së cilës është shpallur si person ‘non grata’ nga aleatët tanë më të ngushtë”, tha Beyer.
Shuplaka e radhës nga gjermanët e CDU/CSU vjen vetëm dy javë nga rikthimi i Sali Berishës si kryetar. Por, zyrtari i lartë i Bundestagut e bëri të qartë pozicionin e vështirë që PD do të ketë në arenën ndërkombëtare me Berishën në krye.
“Partia Demokratike është dobësuar nga shumë gabime që janë bërë dhe nuk mendoj se është e rëndësishme të shohim prapa, por kjo parti le të ketë të ardhme, edhe në familjen e partive popullore”, shtoi ai.
Teksa shpresat e atyre që drejtojnë sot Partinë Demokratike varen në Gjykatën e Apelit, për kryeraportuesin për Shqipërinë në Bundestag cilido që të jetë verdikti asgjë nuk ndryshon: ‘Non grata’ amerikane është e vlefshme edhe për gjermanët.
Top Channel