Forcat ukrainase po vazhdojnë qëndresën në Severodonjeck, pavarësisht se Rusia ka më shumë trupa dhe armë në rajonin lindor.
“Ata janë më shumë në numër, janë më të fuqishëm, mirëpo ne kemi mundësi të luftojmë”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se luftimet e ashpra shtëpi për shtëpi dhe bombardimet pa dallim të ushtrisë ruse, kanë kthyer Severodonjeckun dhe Lisiçanskun në “qytete të vdekura”.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, ajo që Moska po synon të marrë është Zaporizhia, një prej zonave më të mëdha industriale në Ukrainë dhe aty gjendet centrali më i madh bërthamor në Europë.
Pushtimi i këtyre shënjestrave strategjike nënkupton se forcat ruse do të kenë kontrollin e gjithë rajonit Luhansk në lindje. Por Zelensky këmbëngul se nuk do të dorëzohen.
“Heronjtë tanë po i mbajnë fort pozicionet në Severodonjeck. Luftimet në rrugë vazhdojnë të ashpra. Ushtria ruse po përpiqet të përdorë forca shtesë në rajonin e Donbasit, por ne po rezistojmë”, tha Zelensky.
Ministria britanike e Mbrojtjes, pohoi në përditësimin e saj të fundit se përparimi rus muajin e kaluar rreth Severodonjeckut, tani ka mbetur në vendnumëro.
Sipas saj, Moska duhet të bëjë pikë kthese në zonat e Popasnas, Severodonjeckut dhe Izjumit, nëse dëshiron të shënojë “sukses dhe përparim drejt objektivave politike për të kontrolluar Donjeckun”.
Top Channel