Mban datën 22 maj 2022, e sipas portalit boshnjak Klix.ba, non paper-i me titull “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Politika e Fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese”, del me propozimin për një anëtarësim “gradual” të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Portali në fjalë thotë se e zotëron “non-paper”-in që vjen nga Austria, e që shpjegon se agresioni rus në Ukrainë i ka ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ka rrezikuar politikën e “Fqinjësisë Lindore” të Bashkimit Europian dhe mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë europiane. Për këtë arsye, duhet ta rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës sonë të fqinjësisë”, tha Non Paper.
Dokumenti nënvizon se zgjerimi i bllokut duhet të shihet si instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht një procedurë burokratike. Procedura aktuale e zgjerimit nuk ka dhënë rezultate të qenësishme, theksohet aty, ndaj duhen parë mënyra të reja dhe të tentohet zhbllokimi i potencialit të pashfrytëzuar përmes integrimit gradual të këtyre vendeve.
“Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, ne duhet të krijojmë mundësi për integrimin gradual të këtyre vendeve në fushat me përfitim të veçantë për to. Këtu mund të ndihmonte integrimi progresiv në tregun e vetëm përmes, për shembull, transportit të lirë të mallrave, uljes dhe heqjes së tarifave doganore, që do të përfshinin produktet bujqësore, dhe lëvizjen e lirë të punëtorëve”, tha Paper.
Pjesë e qasjes graduale sipas këtij plani, do të ishte përfshirja në politikat tregtare dhe tatimore të orientuara drejt së ardhmes, pjesëmarrja në politikat e BE-së për klimën dhe energjinë, përfshirja në rrjetin trans-europian të transportit, përfshirja e plotë në programet e BE-së në fushat e shkencës, arsimit dhe kërkimin, pjesëmarrja në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së bllokut, pjesëmarrje në agjencitë e Bashkimit Europian.
Non paper-i propozon sakaq që të kihet e hapur mundësia e anulimit të disa përfitimeve në rast të devijimit nga rruga europiane. Sugjerohet që si fillim, vendet e Ballkanit Perëndimor të ftohen vazhdimisht në takimet jozyrtare të Këshillit të BE-së për të diskutuar fushat me interes të përbashkët, e veç kësaj, të organizohet çdo vit një samit BE-Ballkani Perëndimor.
Top Channel