Nisma e “Ballkanit të Hapur”, Rama nga Qafë Thana: Më pak kontrolle të mallrave në kufi

07/06/2022 17:54

Kryeministri Edi Rama nga Qafë Thana tha se me nismën e Ballkanit të Hapur do të kufizohen kontrollet fizike në kufi duke shmangur vonesat.

Kryeministri Edi Rama, i cili u nis sot pasdite drejt Ohrit për të marrë pjesë në Samitin e radhës së Ballkanit tw Hapur bëri një ndalesë në pikën doganore të Qafë Thanës, për t’u njohur nga afër me lehtësitë e krijuara, në kuadër të kësaj nisme, të cilat janë:

Më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit në krahasim me operatorët ekonomikë të tjerë; Trajtim prioritar dhe njoftim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor; Mundësi për të kërkuar hapësira specifike përveç zyrave doganore për kontrollet e doganës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli që shoqëronte kryeministrin në këtë vizitë tha se nisma ka sjellë një ndikim shumë të madh për biznesin, duke lehtësuar ndjeshëm procesin.

“Nisma e Open Balkan ka sjellë realisht një ndikim shumë të madh për biznesin, duke lehtësuar procesin, ndërkohë dhe njohjen reciproke të operatorëve ekonomik të autorizuara. Kjo linjë qe njihet si korridori i gjelbër, është pikërisht për operatorët ekonomik të autorizuar. Ndërkohë, duke u njohur nga BE dhe sekretariati i CEFTA-s bëjmë dhe të gjithë operatorët ekonomik shqiptarë, të cilët do të bëjnë tregti në vendet e CEFTA-s janë tërësisht te facilituar në proceset doganore”, u shpreh Gazheli.

 “Ne kemi firmosur marreveshje në dhjetor në kuadër të Open Balkan, për njohje të ndërsjelltë të operatorëve ekonomikë të autorizuar të tre vendeve. Në Maqedoni aktualisht janë 22 operatorë, të cilët tregtojnë me Shqipërinë dhe do të hyjnë nëpërmjet kësaj linje të gjelbër në korsi preferenciale duke mos kaluar të gjithë procedurat doganore. Është lehtësi e madhe si për tregtarët shqiptarë, po ashtu dhe për tregtarët e Maqedonisë së Veriut”, tha lidhur me këtë proces, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se proceset lehtësuese për bizneset, të konkretizuara më së miri në praktikën e tyre të përditshme janë përgjigja më e mirë për dobinë e nismës së Ballkanit të Hapur, falë së cilës, po krijohet një hapësire europiane e ndërveprimit.

“Kjo është shumë e rëndësishme për faktin se kështu bëhet dhe konkrete për shumëkënd që pyet “Çfarë është ky Ballkani i Hapur” dhe për t’i dhënë përgjigje shumë të thjeshtë të gjitha fantazive, konspiracioneve imagjinare, paranojave dhe  patjetër, intoksikimit të propagandës që shkon kundër bashkëpunimit, që shkon kundër paqes, që shkon kundër zhvillimit, që shkon kundër gjeneratave të tjera. Nga ana tjetër, besoj shumë që sa më shumë shembuj konkretë të jenë përpara syve dhe në veshët e njerëzve, aq më e qartë bëhet gjithçka. Është fantastike që ne po arrijmë të lehtësojmë kaq shumë dhe do vazhdojmë të lehtësojmë ata, që  prej shumë vitesh në fakt, bëjnë tregti me këto tre vende dhe prej vitesh torturohen në ato format më barbare të rrugëve të vjetra të burokracive dhe të komunikimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me hapësirën europiane të ndërveprimit. Këtu po krijohet një hapësire europiane e ndërveprimit”,  u shpreh kryeministri Rama.

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të takohen sot në Ohër, në takimin e radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Në 7 dhe 8 qershor, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.

Kujtojmë se Ballkani i Hapur është një nismë e ndërmarrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa u është bërë ftesë të bashkohen edhe Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës.

Top Channel