Një jaht i vogël me turistë italianë është mbytur mëngjesin e sotëm në afërsi të brigjeve të Zvërnecit në Vlorë.
Shkak është bërë përplasja e jahtit me shkëmbinj nënujorë, rreth 70 metër nga bregu i detit. Në bord kanë qenë 4 turistë nga Pavia e Italisë, mes tyre edhe një fëmijë, të cilët kanë arritur të dalin në breg fatmirësisht pa probleme.
Një nga turistët ka treguar se ishin nisur nga Sllovenia ndërsa gjithçka ka ndodhur rreth mëngjesit në orën 4 e 30.
“Jemi nisur nga Sllovenia dhe kemi përshkuar gjithë Kroacinë, kemi kaluar 600 ishuj në Kroaci dhe Mal të Zi. Në Vlorë si gjithë pronarët e varkave përdora një program që tregon lartësinë e skafit me bazën e ujit dhe të jep sinjale gjithçka që ndodhet nën det. Për fat të keq, varka nuk ka sinjalizuar asnjë shkëmb dhe për pasojë kemi goditur shkëmbin nënujor. Na kapi paniku. Jahti u fundos për dy minuta”, thotë ai.
Turistët nga Pavia ia hedhin fajin mungesës së sinjalizimit nga autoritetet shqiptare dhe falenderojnë qytetarët që u erdhën në ndihmë.
“Është një problem me lajmërimet që shteti shqiptar duhet të bëjë për pjesën nënujore. Nëse bëjmë gabim ndëshkohemi, ashtu dhe shteti duhet te penalizohet për moslajmërimet. Policia e kufirit dhe Guardia mbërritën menjëherë. Falenderojmë popullin shqiptar qe na ndihmuan, na dhanë ushqim na mirëpriten dhe nuk na morën asnjë lek”.
Top Channel