Foto Lajm/ Samiti i Ballkanit të Hapur! Rama takim me homologët maqedonas e malazez, Vuçiç dhe përfaqësuesin e Bosnjës

07/06/2022 21:27

Kryeministri Edi Rama ka takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski; kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç; presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Tegeltija, Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, në Ohër, në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Më parë, Rama u takua me homologun e tij malazez, Dritan Abazoviç dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill.

Ai theksoi se Mali i Zi futet sot zyrtarisht në Ballkanin e Hapur.

“Kënaqësi marrja e kafes së sapombërritjes në Ohër, me kryeministrin, Dritan Abazovič, i cili sot fut zyrtarisht Malin e Zi në Ballkanin e Hapur, si edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Serbi, Chris Hill, i cili është një mik i kahershëm i Shqipërisë e shqiptarëve, po dhe një mbështetës i vendosur i Ballkanit të Hapur”, tha Rama.

Përfaqësuesit e Bosnjës dhe Malit të Zi janë në rolin e vëzhguesit, ndërsa pritet që Abazoviç të japë konfirmimin e futjes së Malit të Zi apo jo në Open Balkan.

Abazoviç është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij pasi nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkanit të Hapur.

Tri nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksander Vuçiç, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Tri anëtarët e “Ballkanit të Hapur” ftojnë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen marrëveshjes.

Top Channel