Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të ankohet me rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar vendimin e gjykatës që i dha të drejtë Sonila Muhametajt dhe urdhëroi renditjen edhe njëherë të tre kandidatëve Muhametaj, Alfred Shehu dhe Elvin Gokaj.
Me kërkesën për pezullim te ekzekutimit të vendimit dhe shfuqizim të vendimit, KLP nuk pranoi t’i bindet vendimit të formës së prerë të gjykatës së Apelit Administrativ që vuri në diskutim katër vendime të marra brenda një dite nga qeveria e prokurorisë për të ngritur në karriere dhe për të çuar në SPAK dy prokurorë dhe për të skualifikuar Muhametajn.
Në kohen kur gjykata thekson se e drejta ekskluzive për të dërguar prokurorë në SPAK i përket KLP-së , gjykata e kritikon qeverinë e prokurorëve se në këtë rast nuk respektoi proceduren dhe se shkeli në menyre flagrante parimet ligjore.
Gjykata Administrative shton se aktet për dërgimin e dy prokurorëve në SPAK, të Shehut dhe Gokajt, janë absolutisht të pavlefshme. Megjithatë rekursi i KLP-së në Gjykatën e Lartë i shpëton ata për momentin nga pezullimi për t’iu nënshtruar sërish pikëzimit përballë Sonila Muhametaj. E po ashtu edhe KLP që e lë çështjen në një gjykatë që ka një stok prej 36 mijë dosjesh.
Duke përfshirë Gokajn dhe Shehun, aktualisht SPAK ka 17 prokurorë, por njërin prej këtyre vendeve vijon ta synojë Muhametaj, një prokurore me 17 vjet karrierë dhe që insiston se përzgjedhja e rivalëve ishte e influencuar.
Top Channel