Ballkani i Hapur, mblidhen ministrat e Bujqësisë në Samitin e Ohrit: Rritet volumi tregtar në 57 milionë euro mes tre vendeve

07/06/2022 18:12

Samiti dyditor në Ohër i nismës rajonale të Ballkanit të Hapur ka mbledhur në një tryezë ministrat e Bujqësisë së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Në raundin e tretë të takimeve teknike, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca konstatoi progresin e bërë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar.

“Marrëveshja e Ballkanit të Hapur po tregon përditë përfitimet e ndërsjella ekonomike dhe njerëzore për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në 4 muajt e parë të vitit 2022, volumi tregtar mes tre vendeve tona është rritur me 70% duke arritur në mbi 57 milionë euro nga 33 milionë euro që ishte në katër mujorin e parë 2021”, tha ministrja Krifca në fjalën e saj.

Përkatësisht Shqipëria ka 63% rritje të eksporteve me Serbinë dhe 8% rritje të eksporteve bujqësore me Maqedoninë e Veriut në këtë periudhë krahasimore.

Pas marrëveshjes së arritur në fund të vitit kaluar, takimet mes grupeve teknike të tre palëve janë zhvilluar në mënyrë intensive dhe Samiti i Ohrit është një tjetër hap drejt konsolidimit dhe fuqizimit të tregut unik ballkanik.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca bashkë me ministrin Ljupcho Nikolovski dhe ministrin Branislav Nedimović si dhe me stafet teknike të secilit shtet, diskutuan mbi mënyrat për të monitoruar cilësisht eksportet, lehtësuar edhe më shumë procedurat për bizneset, eliminimin total të kohës së pritjes në kufi si dhe parandalimin e barrierave jo tarifore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA