Amerikania pranon akuzat si komandante e batalionit të ISIS në Siri (fotot)

07/06/2022 18:35

Një qytetare amerikane ka pranuar sot akuzat se mbante rolin e komandantes së një batalioni vetëm me femra militante të Shtetit Islamik në Siri, thonin dokumentet e gjykatës të shpërndara në media.

Allison Fluke-Ekren bëri paraqitjen në gjykatën e Alexandria, Virginia.

Ajo jetonte më parë në Kansas, por u ekstradua në SHBA vetëm në fillim të vitit me akuzat kriminale se ka dhënë mbështetje materiale për organizata të huaja terroriste.

E reja ishte vendosur në Egjipt në 2008 por prej vitit 2016, sipas prokurorëve, ajo ka drejtuar një njësi ushtarake femrash të Shtetit Islamik në qytetin sirian të Raqqa pasi ishte stërvitur në përdorimin e automatikëve AK-47, granatave dhe eksplozivëve vetëvrasës.

Prej vitit 2008 ajo kishte udhëtuar shpesh mes Egjiptit dhe SHBA, ndërsa besohet se është vendosur në Siri prej vitit 2012.

Në fillim të 2016 bashkëshorti i saj u vra në qytetin sirian të Tell Abyad duke kryer një sulm terrorist, thanë prokurorët. Po atë vit ajo u martua me një anëtar të ISIS nga Bangladeshi të specializuar për dronët, por dhe ai vdiq në 2017.

Katër muaj pas vdekjes së bashkëshortit ajo u martua me një drejtues të lartë të Shtetit Islamik, që ishte përgjegjës për mbrojtjen e Raqqa.

Gruaja i kishte thënë një dëshmitareje në 2018 që t’i thonin familjes Fluke-Ekren se kishte vdekur, në mënyrë që qeveria e SHBA të mos e kërkonte.

Tashmë 42 vjeçarja, do të përballet me akuzat, teksa nuk tregohet sesi apo ku është kapur.

Në kërkesën e paraburgimit nga prokurori Raj Parekh tha se ajo ka stërvitur minorene për të përdorur armë, dhe të paktën një dëshmitar ka parë një prej fëmijëve të të akuzuarës, asokohe 6-7 vjeç, të mbante automatik në shtëpinë e tyre në Siri.

Prokurorët thanë se Fluke-Ekren kërkonte të rekrutonte operativë nga SHBA dhe kishte diskutuar  “sulme me shumë viktima”.

Akuzat kriminale ndaj Fluke-Ekren ishin bërë prej vitit 2019 por u bënë publike vetëm pas kthimit të saj në SHBA ne fillim te vitit.

FOTO GALERI
1/7
Një qytetare amerikane ka pranuar sot akuzat se mbante rolin e komandantes së një batalioni vetëm me femra militante të Shtetit Islamik

Top Channel