
Kanadezët kanë vërshuar në dyqanet e armëve prej javës që shkoi pas propozimit të kryeministrit për një pezullim të shitjeve, pas vrasjeve masive në Texas muajin e kaluar.
Nëse aprovohen planet mund të hyjnë në fuqi në vjeshtë, pas një ndalimi të ngjashëm që u vendos në maj 2020.
Ashtu si homologu amerikan Biden, edhe Trudeau ka thënë se do të propozojë masa të ashpra “për të mbajtur armët e zjarrit jashtë komuniteteve”, por aktivistët e lirive e të drejtave civile thonë se propozimi është “nje tjetër masë kufizuese e lirisë dhe reduktimit të pushtetit të individit përballë atij të qeverisë”.
Gjithsesi rregullacioni duhet të kalojë në parlamentin e vendit, teksa janë shumëfishuar blerjet e armëve para masës së mundshme të ndalimit.
Aman Sandhu, i grupit sportiv Dawson Creek tha: “Do të shkoj sepse nëse nuk blej një armë tani, mund të mos kem më kurrë rastin”.
Raportimet thonin se radhët e njerëzve u shfaqën në dyqane brenda disa orëve pas njoftimit të kryeministrit, ndërsa disa prej tyre kishin shitur të gjithë mallin brenda disa ditësh.
Jen Lavigne, bashkëpronare e dyqanit Hunting Store në Ottawa, tha se shitjet ishin të shpeshta.
“Shitëm 100 armë zjarri në tre ditët e fundit pas njoftimit. Kjo është një masë e kotë, vetëm dëmton pronarët e armëve dhe nuk redukton krimin”.
Josko Kovic, pronar i dyqanit DoubleTap në Toronto, akuzonte qeverinë se po krijonte panik mes njerëzve, që tani po nxitojnë të blejnë armatime.
Numri i armëve të regjistruara të zjarrit në Kanada është rritur me 70% nga 2010 deri në 2022, duke arritur në 1.2 milionë.
Propozimi erdhi pas vrasjeve masive në shkollën Uvalde, në Texas më 24 maj, ku një vrasës i mori jetën 19 nxënësve dhe dy mësuesve.
Top Channel