Një ditë pas zgjedhjes, Bajram Begaj takohet me ish-Presidentin Moisiu

05/06/2022 12:25

Presidenti i sapo zgjedhur Bajram Begaj një dite pasi mazhoranca miratoi ne Kuvend kandidaturën e tij, ka zhvilluar një takim jo zyrtar me ish-Presidentin Alfred Moisu.

Takimi është zhvilluar jashtë Tirane. Top Channel kontaktoi me ish-Presidentin Moisiu, i cili konfirmoi se kafja miqësore është kërkuar nga Presidenti Begaj.

Të dy kanë biseduar rreth zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, ndërsa ish presidenti nuk ka pasur ndonjë këshillë specifike për zotin Begaj.

Bëhet me dije se takimi është bërë me kërkesë të z.Begaj dhe ishte një takim miqësor, ku Presidenti Moisiu I tregoi mbi përvojën e tij gjatë pesë viteve në Presidencë dhe i dha librin që flet mbi atë periudhë kohe “Midis Nanos dhe Berishës”.

Biseda miqësore ka zgjatur rreth 1 ore e 30 minuta. Të dy kanë njohje të vjetër pasi vijnë nga i njëjti profesion ai i ushtarakut. Ndërkohë në ditët në vijim Begaj pritet të takohet me ish-Presidentët Bamir Topi dhe Rexhep Mejdani.

Bajram Begaj është zgjedhur ditën e djeshme si president i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj, emri i të cilit doli nga PS, do të jetë pasardhësi i Ilir Metës dhe të qëndrojë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Top Channel