Tirana do të përdorë një teknologji të re për grumbullimin dhe diferencimin e mbetjeve.
Tanimë mbetjet nuk do të hidhen në kosha por në konteniere nëntokësore të cilët nuk krijojnë papastërti përreth tyre duke shmangur kështu edhe aromat e këqija.
Kryetari i bashkisë së Tianës, Erion Veliaj ishte bashkë me ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci dhe vlerësuan krijimin e ” Eco Tirana ” që merret me pastrimin e e qytetit.
“Historia më e madhe e suksesit në menaxhimin publik ishte partneriteti që bëmë me Veronën. Tani na është bashkuar edhe Bashkia e Viçencës. Në fillim pati kundërshti, dikush shkruante në portale se ‘po na marrin punën’, por qartazi tani puna bëhet më mirë dhe më lire”, tha Veliaj.
Veliaj kërkoi bashkëpunim nga qytetarët e Tiranës pasi është i nevojshëm dhe një mentalitet i ri ndërkohë që solli në kujtesë edhe sulmet që vërshuan kur u krijua “Eco Tirana”.
“Sot ka njerëz, të cilët e kanë drejtuar këtë vend, ish president dhe ish kryeministër që thonë “janë mafiozë këta të Romës, mafiozë këta të Viçencës, edhe këta të Butrintit”. Po si mund të vijnë investitorët kur ti dëgjon një ish president dhe ish kryeministër, i cili sot është shpallur ‘non grata’, që i vë emrin ‘mafioz’ kujtdo që i prish interesin?Një vend normal nuk funksionon kështu. Ndaj, përpara se të pastrojmë rrugët e asfaltit të Tiranës, duhet të pastrojmë njëherë rrugët e logjikës tonë, të bëhemi njerëz perëndimorë; nëse kanë diçka, le të shkojnë t’i denoncojnë – a thua se i zgjidhën këta non-gratat problemet e tyre këtu dhe tani po merren edhe me hallet e Veronës dhe Viçencës! Kjo çmenduri duhet të ndalojë, nëse duam të jemi një vend i hapur, nëse duam të jemi një vend që i mirëpret sipërmarrësit”, tha ai.
Veliaj dhe ambasadori italian vlerësuan teknologjinë e re si një risi që do të përmirësojë ndjeshëm grumbullimin e mbetjeve. Si fillim kontenierët nëntokësorë do të pilotohen në disa rrugë të qytetit.
Top Channel