Presidenti i ri i vendit votuar me 78 vota nga Kuvendi i Shqipërisë, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim jozyrtar me ish-presidentin Alfred Moisiu.
I kontaktuar nga Top Channel, Moisiu pranoi se takimi ishte kërkuar nga z.Begaj, ndërsa takimi midis tyre ka zgjatur 1 orë e 30 minuta, në rrethinat e Tiranës.
Kreu i ri i shtetit, Begaj ka zgjedhur të publikojë edhe një foto të këtij takimi, ku e cilëson z.Moisiu si burrë të urtë dhe patriot dhe një president që diti të ishte i të gjithë shqiptarëve.
Në foto, të dy mbajnë në dorë librin “Midis Nanos dhe Berishës”, një memorial politik i eksperiencës së ish-presidentit Moisiu në karrigen e kreut të shtetit, ndërsa kjo dukej se ishte edhe tema kryesore e takimit të tyre.
Begaj është shprehur mirënjohës për bekimin e marrë nga z.Moisiu në detyrën e re, ndërsa të dyja figurat vijnë nga detyra të mëparshme ushtarake.
Në ditët në vijim kreu i ri i shtetit pritet të takohet me ish-Presidentët Bamir Topi dhe Rexhep Mejdani.
Top Channel