“Uroj mos kthehet në betejën e radhës me Presidentin aktual”, Balla: Bajram Begaj dha dorëheqjen nga posti i shefit të shtabit, presim nga Meta…

04/06/2022 10:32

Ashtu sic parashikohet në Kushtetutën e Republikës, Bajram Begaj ka depozituar pranë ministrit të Mbrojtjes, dorëheqjen nga posti I shefit të shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Lajmi u bë me dije në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, nga kreu I grupit Taulan Balla, I cili ftoi presidentin aktual të mos bëhet pengesë në këtë procedurë, por të firmosë lirimin e tij nga detyra

“Kandidati për president ka depozituar te ministri I mbrojtjes dhe kryeministri kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra e Shefit të shtabit të përgjithshëm të FA. Ky është një aspekt i rëndësishëm, por në legjislacionin përkatës, ligji për FA parashikon dorëheqjen para dhe të lirohen apo zgjidhen.

Dhe kjo është një procedurë që brenda orëve në vijim duhet të përshijë edhe Presidentin e Republikës aktual, I cili duhet të bëjë lirimin megjithëse unë mendoj se kjo nuk do të jetë një betejë e radhës me Presidentin aktual megjithatë me kryetarin e komisionit të ligjeve kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse lart qoftë na krijohet ndonjë ngërc me Presidentin e republikës. Në aspekt formal, brenda orës 12:00 duhet të depozitojmë kërkesën.” u shpreh Balla.

Sipas Kushtetutës, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie. “Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, 55 vjeç, ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Ndërsa përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në vitin 2020, për një periudhë 3 vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Top Channel