Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kandidat për President/ Berisha: Shkelje e rëndë e kushtetutës, ushtarakëve aktiv u ndalohen emërimet në detyra të tjera (Thirrja për Metën)

04/06/2022 12:27

Sali Berisha e cilëson propozimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës, shkelje të Kushtetutës së vendit.

“I ndalohet rreptesisht ushtarakeve aktiv te zgjidhen apo emerohen ne detyra te tjera”, thotë Berisha.

“Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë! Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 përcakton ‘Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe’.

Ky nen pra u ndalon rreptësisht ushtarakëve aktiv të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare.

Kjo shkelje e rëndë e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese. Kjo së pari se Kushtetuta në përcaktimin e saj është e qartë si kristal dhe është taksative në nenin e saj se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe zgjidhet në detyra të tjera jashtë ushtrisë”.

Ai qe beson se mund të shesë gjeneral Bajram Begajn si ushtarak jo aktiv, tallet me Kushtetutën, Ushtrinë dhe shoqërine shqiptare, thotë Berisha, në reagim tejet kritik postuar në rrjetin social “Facebook”.

“Gjeneral Begaj, i cili edhe ne këtë moment është shefi i shtabit të përgjithshëm pra aktiv, po jep dorëheqjen apo po shkarkohet me dekret pra po largohet nga Ushtria si ushtarak aktiv pikërisht për t’u emëruar në një detyre qe Kushtetuta nuk e lejon.

Dënoj me forcën më të madhe këtë akt tipik për juntat dhe të pashembullt në historinë e vendeve të lira. Dënoj këtë akt si dëshmi flagrante e kapjes së shtetit dhe Kushtetutes nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën, që nuk ka interesa të tjera përveç vjedhjes dhe plaçkitjes të qytetarëve”.

Berisha ka dhe një thirrje për presidentin aktual, Ilir Meta:

“I bej thirrje Presidentit të Republikës të mbroje Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA