Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar me kryeministrin e Finlandës dhe ka folur me presidentin e Turqisë, derisa po kërkon të kapërcejë rezistencën turke ndaj bashkimit të Finlandës dhe Suedisë me aleancën.
Stoltenberg, i cili vizitoi Uashingtonin këtë javë, postoi në Twitter të premten vonë se ai u takua me kryeministren finlandeze Sanna Marin dhe diskutoi “nevojën për të adresuar shqetësimet e Turqisë dhe për të ecur përpara” me aplikimet për anëtarësim finlandez dhe suedez.
Lufta e Rusisë në Ukrainë i shtyu vendet nordike të aplikonin për t’u anëtarësuar në NATO, por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzon Suedinë dhe Finlandën se mbështesin militantët kurdë të konsideruar nga Turqia si terroristë.
Stoltenberg tha se kishte një “telefonatë konstruktive” me Erdoganin, duke e quajtur Turqinë një “aleat të vlefshëm” dhe duke vlerësuar përpjekjet turke për të ndërmjetësuar një marrëveshje për të siguruar transportin e sigurt të furnizimeve me drithëra nga Ukraina në mes të mungesës globale të ushqimit të shkaktuar nga lufta.
Stoltenberg shkroi në Twitter se ai dhe Erdogan do të vazhdojnë dialogun e tyre, pa dhënë detaje.
Përpjekjet diplomatike të shefit të NATO-s erdhën përpara një mbledhjeje të zyrtarëve të lartë nga Suedia, Finlanda dhe Turqia javën e ardhshme në Bruksel, ku ndodhet NATO, për të diskutuar kundërshtimin e Turqisë ndaj aplikimeve./rel
Top Channel