“I dhamë vendit një president normal”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama pasi Bajram Begaj u zgjodh si President i Republikës me 78 vota pro në Kuvend.

Pas përfundimit të seancës plenare, Rama u shpreh se PS arriti qëllimin për emërimin e një presidenti të denjë në krye të shtetit. Ai tha se nuk ka rëndësi nga kush u votua, por u vërtetua se PS është për Shqipërinë dhe jo për veten.

Edi Rama: Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur qysh në krye të herës dhe të gjitha reagimet flasin për këtë. Natyrisht përjashtuar ndonjë reagim pa lidhje të hapësirës politike, flas përtej kësaj, që do të thotë që i kemi dhënë Shqipërisë një President normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit.

– Morët vetëm një votë nga opozita me kandidaturën tuaj.

Edi Rama: Nuk ka asnjë rëndësi se cili ka qenë përfundimi aritmetik i këtij procesi. Rëndësi ka që ky proces është kurorëzuar në një provë të prekshme për të gjithë, që Partia Socialiste është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten. Është këtu për të bërë më të mirën, që zgjedhjet, vendimet, aktiviteti ynë si shumicë qeverisëse.

Bajram Begaj është zgjedhur këtë të shtunë si president i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim. Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj, emri i të cilit doli nga PS, do të jetë pasardhësi i Ilir Metës dhe të qëndrojë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme.

Top Channel