Jose Mourinho riktheu Romën te trofetë, pasi verdhekuqtë ia dolën të triumfojnë në Conference League, megjithatë trajneri portugez dëshiron që ky sukses të mos mbetet i izoluar, por të pasohet me hapjen e një cikli fitues.

Me bazën e skuadrës të ndërtuar tashmë, Mou ka kërkuar që të shtojë më shumë eksperiencë ndërkombëtare dhe cilësi në grup, teksa dy janë emrat që synohet të afrohen me ngulm verdhekuqtë.

I pari është spanjolli Isco, i cili ka lënë Realin e Madridit pasi i skadoi kontrata dhe është në kërkim të një aventure të re. Mourinho është angazhuar personalisht për ta bindur të transferohet në Romë, pasi spanjolli ka eksperiencë të madhe, cilësi teknike dhe mbi të gjitha, dëshirë për të treguar se mund të thotë ende fjalën e tij në fushën e lojës.

Krahas Iscos, Mourinho ka kontaktuar edhe anglezin Jese Lingard, të cilit gjithashtu i ka skaduar kontrata me Man. United dhe është i lirë të vendosë për të ardhmen.

Në rreshtimin 3-4-2-1 që po përdor Mourinho te Roma, Lingard do të ishte një alternativë mjaft e vlefshme për të luajtur pas shpinës se Abraham, megjithatë në këtë rast verdhekuqtë duhet të bëjnë llogaritë me konkurrencën e fortë, pasi disa klube të Premier League i kanë ofruar kontratë sulmuesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA