Partia Socialiste ka propozuar Bajram Begën si kandidat për kreun e ri të shtetit. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë në selinë rozë, ku tha se socialistet propozojnë shefin e Forcave të Armatosura, Bajram Begaj mes 26 kandidaturave të tjera.
Edi Rama: Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes e kandidaturës që do të cojmë në Kuvend për të votuar presidentin e ri të Republikës së Shqipërisë. Sot procesi është përmbyllur duke vënë në dispozicion të gjitha kandidaturat e propozuara nga grupi parlamentar me zarfa. Janë ndarë kandidaturat në 3 grupe, është përjashtuar menjëherë dhe nuk është futur në tavolinë blloku i propozuar nga brenda grupi parlamentar. Është hequr dhe blloku i kandidaturave që janë të gjithë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj familje politike de kanë pasur aktivitet politik në PS se e kemi thënë dhe më parë, sot e kemi ridiskutuar dhe kemi dakordësuar që PS i takon që në këtë moment të shohë dhe të shkojë përtej vetes sepse duhet t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, atë qytetari dhe atë mirësi për të cilën kanë nevojë sot qytetarë dhe jemi përqendruar në bllokun e tretë, i cili ka pasur 26 kandidatura për të arritur në konkluzionin që do të mbështesë Bajram Begën, shefi aktual i Forcave të Armatosura për të qenë president i Republikës së Shqipërisë.
I pyetur nëse ka dijeni general Bajram Begaj për propozimin, kreu i qeverisë tha se pritet ta marrë në telefon gjenaralin dhe të ketë një takim këtë pasdite nëse ai ndodhet në qytet.
Rama: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një ndër kandidaturat e propozuara nga grupi i PS. Unë nuk kam qenë një nga propozuesit. Ishte një diskutim tërësisht i hapur me një frymë pozitive dhe sens përgjegjësie gjë që kemi nevojë në mbledhjet tona të brendshme. Më vjen keq që shumë njerëz brenda PS duke nga Sekretari i Përggjithshëm u zhgënjyen pozitivisht. Do ta telefonoj dhe do të kem një takim sonte me të nëse ndodhet në qytet.
Pas publikimit të emrit, kryeministri Rama priti në zyrëkandidatin për president të socialistëve, Bajram Begaj. Në fjalën e tij, Gjeneral Bajram Begaj tha se do të përpiqet të jetë personi i duhur për të përfaqësuar postin e ri, pasi profesionet nga ai vjen janë me disiplinë dhe duan përkushtim. Ai tha se do të ishte i lumtur nëse do të merrte votat për të qenë kreu i ri i shtetit. Në takimin mes tyre, Rama u shpreh i bindur bindur se Begaj ka besnikërinë që i duhet kësaj detyre.
Shefi i shtabit të përgjithshëm Bajram Begaj mund të jetë pasardhësi i Ilir Metës dhe të jetë në krye të shtetit për pesë vitet e ardhshme. Ky propozim ishte surprizë, pasi në listën e kandidaturave të mundshme më favoritët ishin Majlinda Bregu dhe Ardian Dvorani. Nesër në 10 do të jetë mbledhja e grupit parlamentar të PS-së. Më pas do të mblidhet komisioni parlamentar i ligjeve për të hartuar një raport që do t’i shkojë kuvendit dhe në orën 18:00 do të votohet në kuvend.
Por kush është Bajram Begaj?
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ai më parë shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare. Bajram Begaj është profesor i asociuar i mjekësisë. Ai është i martuar me Armanda Begaj, ata kanë dy fëmijë të rritur.
Top Channel