Departamenti amerikan i Drejtësisë përgatitet për sulme të reja kibernetike ruse

03/06/2022 16:12

Departamenti amerikan Drejtësisë njoftoi se po përgatitet për sulme të reja kibernetike ruse ndërsa kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga fillimi i agresionit të Moskës në Ukrainë.

Kreu i Divizionit të Sigurisë Kombëtare Matthew Olsen tha të enjten se Departamenti i Drejtësisë është përqendruar në mënyrë të posaçme tek kërcënimi kibernetik që vjen nga Rusia dhe se po përgatitet për mundësinë e sulmeve të reja.

Zoti Olsen i bëri komentet në një konferencë të Qendrës për Mbrojtjen Kibernetike, qendër kjo e akredituar nga NATO. Organizata me bazë në Talin të Estonisë miratoi këtë javë kërkesën e Ukrainës për t’u bërë pjesë e saj si “pjesëmarrës kontribues”.

Komentet e zotit Olsen u bënë jehonë paralajmërimeve të përsëritura nga administrata Biden gjatë gjithë konfliktit në Ukrainë, se Rusia ka të ngjarë të kryejë sulme kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore.

Në mars, FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës paralajmëruan për “kërcënime të mundshme ndaj rrjeteve të komunikimit satelitor amerikan dhe atyre ndërkombëtare”.

Paralajmërimi erdhi pas një sulmi kibernetik ndaj kompanisë së telekomunikacionit me bazë në SHBA, Viasat, më 24 shkurt, ditën kur Rusia sulmoi Ukrainën, sulm pas të cilit dyshohet se qëndron Moska.

Sulmi la me dhjetëra mijëra klientë ukrainas të Viasat pa shërbim satelitor.

Zoti Olsen tha se sulmi është “një nga shembujt e shumtë të kohëve të fundit” të aktivitetit kibernetik keqdashës të Rusisë./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA