Ukraina do të përpiqet të lë për momentin mënjanë luftën që po zgjat prej rreth 3 muajsh dhe të hedh sytë nga futbolli.
Mbrëmjen e sotme, skuadra përfaqësuese ukrainase do të luajë ndaj Skocisë për playoffin e Botërorit me ëndrrën për të prerë biletën për në Katar në mënyrë që t’i japë sadopak gëzim kombit të saj.
Skuadra e Petrakov nuk ka zhvilluar një ndeshje zyrtare që nga starti i pushtimit rus të Ukrainës në 24 shkurt.
Përfaqësuesja ukrainase në prag të kësaj ndeshjeje zhvilloi një fazë përgatitore në Slloveni. Mbrojtësi i Manchester City, Oleksandr Zinchenko nuk u mbajti lotët në konferencën për shtyp teksa foli përballë medias.
“Çdo ukrainas do vetëm një gjë, ndalimin e kësaj lufte”, tha Zinchenko, por skuadra ukrainase ka edhe ëndrrën e saj, dëshirën për të shkuar në Botëror.
“Duam t’i dhurojmë këto emocione të jashtëzakonshme ukrainasve sepse e meritojnë në këtë moment”, shtoi më tej ai.
Fituesja e sfidës mes Skocisë dhe Ukrainës do të përballet me Uellsin për një vend në fazën finale të Botërorit.
Top Channel