Rafael Nadal ishte autor i një performance fantastike në çerekfinalen e Roland Garros ku mposhti rivalin e tij më të madh në këtë kompeticion, Novak Djokovic. Tenisti spanjoll fitoi me rezultatin 3-1 (6-2 4-6 6-2 7-6) në një ndeshje e cila zgjati për më shumë se katër orë dhe dhuroi spektakël për të gjithë të pranishmit në fushën kryesore, Philippe-Chatrier.
Në gjysmëfinale, 35-vjeçarin e pret përballja me numrin tre të botës, gjermanin Zverev ndërsa spanjolli është në ndjekje të titullit numër 14 në tokën franceze. Megjithatë, edhe pse duket në një formë të shkëlqyer në Roland Garros, duket se e ardhmja për tenistin nga Mallorca është e mbushur me shumë dyshime për shkak të dëmtimit që vuan në këmbë. Pas triumfit ndaj Djokovic, Rafa u shpreh se Roland Garros mund të jetë kompeticioni i fundit në karrierë pasi tashmë dhimbjet kanë nisur të bëhen gjithnjë e më të padurueshme.
“Besoj se jam në një moshë ku nuk është etike që unë të fsheh të vërtetën, nuk mund të vij në këtë kompeticion dhe të flas diçka që nuk e besoj as vetë. Nuk e di çfarë mund të ndodhë me dëmtimin tim, siç e kam përmendur edhe më parë, kam ardhur këtu i fokusuar vetëm te Roland Garros. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë pas këtij turneu.
Kam dëmtim në këmbë dhe nëse nuk gjejmë një përmirësim atëherë do të bëhej super e vështirë për mua. Tani po shijoj mundësinë që kam për të zbritur në fushë dhe nuk po mendoj për të ardhmen. Do të luftoj që të kem një mundësi për veten, por deri tani nuk shoh shumë alternativa. Fakti që kam mundësinë të luaj në një tjetër gjysmëfinale të Roland Garros më mbush me energji”, u shpreh Nadal./supersport
Top Channel