Liderët e partisë nacionaliste irlandezo-veriore Shin Fein akuzonin sot në Bruksel kryeministrin Boris Johnson për qasje të “pakujdeshme” ndaj paqes në Irlandën e Veriut.
Zyrtarët vizitonin parlamentin evropian për të mbrojtur marrëveshjen tregtare mes BE e Mbretërisë së Bashkuar për provincën ishullore.
Drejtuesja e partisë Mary Lou McDonald, tha në konferencë se ishte e papranueshme që qeveria e Johnson të punonte në mënyrë unilaterale për protokollin e Brexit të Irlandës së Veriut.
“Boris Johnson dhe qeveria britanike duhet të largohen nga rruga e tyre destruktive sepse po rrezikojnë paqen dhe Marrëveshjen e të Premtes së Mirë në Irlandën e Veriut”.
Ajo dhe zv. drejtuesja e Shinn Fein, Michelle O’Neill, u takuan me kreun e BE për Brexit, Maros Sefcovic, për të kërkuar që Britania të zgjidhë problemet e Irlandës së veriut sipas protokollit.
Londra dhe Brukseli ende nuk kanë rënë dakord për disa pika të Protokollit të Brexit për Irlandën e Veriut, i cili ka si qëllim ruajtjen e paqes së vitit 1998.
Marrëveshja e Të Premtes së Mirë e nënshkruar në 1998 mes grupeve Britanike dhe nacionalistëve irlandezë, i dha fund disa dekada dhune sektariane kundër sundimit të Britanisë.
Top Channel