Lionel Messi është mësuar të ketë gjithnjë dashurinë e tifozëve, sidomos atyre të Barcelonës të cilëve iu shërbeu për shumë vite.
Në Camp Nou, argjentinasi ishte një idhull për të gjithë, mirëpo në Paris pasi u transferua te PSG, Messit iu desh të përballej edhe me diçka të cilën nuk e kishte hasur kurrë në karrierën e tij.
Pas një periudhe të gjatë adaptimi dhe zhgënjimi të pritshmërive të tifozëve, Messi u ndesh me kontestime nga tifozët e tij të rinj, ata parisienë, të cilët kërkonin më shumë angazhim në fushë nga “pleshti”. Së fundmi, 34-vjeçari tregon se kontestimet nga tifozët e PSG ishin një eksperiencë e keqe, ndërsa diçka e tillë e bëri të shqetësohej për fëmijët e vegjël.
“Kur nisën të më vërshëllenin në Paris, menjëherë pyeta nëse fëmijët e mi ishin në stadium, nuk doja të ishin pjesë e një situate të vështirë. Të asistojë në një skenë të tillë ishte diçka krejtësisht e re për mua dhe nuk dija si të sillesha. Në Barcelonë nuk më kishte ndodhur kurrë, ishte e kundërta në Camp Nou”, tregon Messi./ Supersport
Top Channel