Nxënësit ekselentë, kur të nisin shkollën e lartë do të përfitojnë bursë studimore, me vlerë sa paga minimale e parashikuar në vendin tonë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar politikën e re që lidhet me programet e studimit që janë prioritet kombëtar dhe për mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer dhe për studentët që ndjekin në universitete publike një nga programet që konsiderohen prioritet kombëtar, ndërkohë që është hartuar lista e programeve prioritare që cilat u përkasin shkencave humane, shkencave natyrore, inxhinierike, bujqësi, veterinari, shërbime, etj.

Studentët që do të përfitojnë në universitete publike përjashtim tarifash dhe bursa që janë sa paga minimale për çdo muaj të studimeve janë 3 kategori.

Të gjitha ata që tre vitet e studimit i mbarojnë me notën mesatare 10 dhe provimet e maturës me mbi 9.5, e përfitojnë bursën dhe përjashtimin nga tarifat, edhe pse zgjedhin çdo lloj dege që preferojnë.

Kategoria e dytë e maturantëve që përfitojnë, janë ata me mesatare minimumi 8.5 dhe zgjedhin një nga programet prioritare.

Një tjetër kategori përfituese janë maturantët që kanë zënë një nga 3 vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, në të cilat ka të paktën 15 vende pjesëmarrëse. Programi që ata zgjedhin lidhet me fushën ku ka marrë çmim.

Studentët që përfitojnë nga ky vendim i këshillit të ministrave kanë detyrimin ligjor që pas diplomimit të punojnë në sektorin shtetërore të paktën 3 vite, pasi qëllimi i këtij vendimi është rritja e efikasitetit të Fondit të Ekselencës.

Ndërkohë, Fondi i Ekselencës do të vazhdojë për studentët që qenë fitues vitet e kaluara, deri në përfundim të studimeve. Vendimi i sotëm nuk i ndikon përfitimet që u takojnë studentëve nga Pakti Për Universitetin, ato do të vijojnë të jenë të njëjta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA