Një 27-vjeçar është vënë në pranga në Himarë ditën e sotme pasi u kap duke transportuar 33 emigrantë të paligjshëm dhe posedonte një sasi kokaine.
Në dalje të Bypass-it Himarë, shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, i kanë bërë shenjë për të ndaluar shtetasit K. M., i cili drejtonte automjetin tip furgon. 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit që drejtohej nga 27-vjeçari dhe kanë evidentuar disa metra më tutje, automjetin tip furgon, të braktisur.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 33 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Në vijim të operacionit, pas disa orësh nga braktisja e automjetit, në Laprakë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.5, Tiranë, është bërë e mundur kapja e shtetasit K. M.
Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të tij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel