Tekniku italian e ndau grupin në dy skuadra duke zhvilluar një ndeshje me nga 35 minuta secila. Në ekipin e bardhë u vendos ky formacion: Selmani, Mihaj, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Hoxhallari, Ramadani, Rrapaj, N. Bajrami, Uzuni, Balaj. Ndërsa në ekipin me të kuqe u rreshtuan Berisha, Balliu, Ismajli, Dermaku, Veseli, Lenjani, Kraja, Abrashi, çekiçi, Cikalleshi, Seferi.
Pjesa e parë kishte ritëm dhe raste për gol, për asnjë nga formacionet nuk gjetën golin. Në pjesën e dytë tekniku bëri shumë ndryshime dhe i aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion e më konkretisht Mitaj, Kalaj, Toçi, A. Bajrami, Haveri, Dobra, Kastrati dhe Tafas. Lojtarët shfaqën impenjim maksimal edhe në pjesën e dytë, duke krijuar edhe raste për gol, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe ndeshja u mbyll 0-0.
Staf teknik vendosi të mos aktivizojë mesfushorin Kristjan Asllani pasi lojtari kishte pësuar një dëmtim të lehtë në stërvitje, por që nuk është serioz dhe pritet që ai të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë. Edhe Klaus Gjasula nuk u aktivizua në këtë test pasi kishte shqetësime me stomakun.
Ndërkaq, me skuadrën sot është bashkuar edhe sulmuesi Giacomo Vrioni, ndërkohë që pritet edhe mbërritja e Armando Brojës për të kompletuar grupin./ SuperSport