Refuzimi i Mirakajt në Komision për shkak të Berishës/ Hoxha: Është st’i themi Realit të mos marrë pjesë në Champions, ka të drejtën e tij

30/05/2022 22:37

Kandidatura e Simon Mirakës në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit nuk u votua nga socialistët dhe shkak u bë Sali Berisha, i shpallur ‘non grata’, mes firmave mbështetëse.

Sipas kandidatit për kryesinë e Partisë Demokratike Indrit Hoxha, t’i kërkosh Berishës të heqë dorë, është si “ti kërkosh Real Madridit të mos marrë më pjesë në Champions League, meqë ka fituar shumë”.

Pse duhet të ikë Berisha për aq kohë sa kushtetuta e lejon”, thotë Hoxha në “Top Story”.

Pavarësisht se është e drejta e tij, Hoxha thotë se Sali Berisha si kryetar i Partisë Demokratike, do ta dëmtonte dhe izolonte atë.

“Nuk do të kryejë dot detyrat e tij kushtetuese, nuk do të marrë pjesë në reformën zgjedhore dhe territoriale. I izoluar, nuk na ndihmon të vijmë në pushtet. Jo se nuk i takon, por në kushtet që është penalizon PD-në”.

Ndërsa Roland Bejko shprehet se Berisha nuk bën kurrë lëvizje bosh. “Gjithçka e llogarit”, thotë ai.

Edhe pse, siç thotë ai, nuk i ka kërkuar Berishës të tërhiqet, ka kërkuar që të mos përziejë problemet e tij personale (duke iu referuar shpalljes së ish-kryeministrit ‘non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit) me problemet e partisë.

Nuk bëj pjesë te ata që kanë kërkuar një hap pas të Berishës, kam kërkuar të qëndronte larg PD-së me problemin personal, mos ta përziente me partinë”.

Top Channel