Mundësia për president konsensual u dogj/ Balla: Askush nuk e merr peng procesin, PS propozon kandidatin në raundin tjetër

30/05/2022 10:32

Mundësia e fundit e propozimit të një kandidati për president nga ana e opozitës, u dogj ditën e sotme ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, u shpreh se është i hapur ende për bashkëpunim me deputetët që duan të dialogojnë.

Balla u shpreh se ka ardhur momenti i mbylljes së këtij procesi dhe ditën e nesërme në orën 14:00 do të ketë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve ku do të vendoset edhe data e raundit të katërt, në të cilën do të paraqitet emir i propozuar nga PS-ja.

“Siç e patë ne i qëndruam angazhimit për të pritur një propozim nga opozita, siç kishim thënë, me besim dhe shpresë se opozita do të merrte përgjegjësinë për pjesëmarrje në proces. Ne nuk do ta lëmë vendi pa president sigurisht, por duke ndjekur procesin e duke dialoguar me secilin që dotë bashkëpunojnë. Në raundin e katërt dhe të pestë është një mekanizëm zhbllokues ku askush nuk mund të marr peng procesin dhe zgjedhjen. Në asnjë moment të vetëm nuk kemi marrë propozim me emra konkret. Kemi ardhur në momentin e përmbylljes së procesit, do të kërkojmë komunikim me deputetët e opozitës që të sigurojmë mbështetje të madhe.

Duhet t’ju them që në raundin e katërt do të propozojmë një kandidat apo kandidate në varësi të procesit që po vjen. Një forcë politike serioze bën edhe një proces paraprak për zgjedhës. Kemi identifikuar kandidatura potenciale. Duam që presidenti të jetë një autoritet moral dhe të mos jetë i PS por i gjithë shqiptarëve. Në vijon do ju komunikojmë më shpesh për të gjitha zhvillimet, ka disa rregulla që duhen respektuar. Ajo që duhet të kuptojmë është se procesi po shkon drejt përfundimit dhe të gjithë palët duhet të propozonin. Nesër rreth mesditës në orën 14 do të ketë një mbledhje të konferencës së kryetarëve dhe do të marrim kohë të nevojshme për të propozuar në raundin e katërt. Nesër do të dëgjoni propozimin tim se kur do të mbahet raundi i katërt.

Meqënëse jam në këtë pikë më lejoni të sqaroj një element, lidhur me një procedurë të ndjekur nga Komisioni i Ligjeve. Për sa i përket kandidaturës së Simon Mirakës, ne e kemi votuar disa vite më parë, në nuk kemi asgjë me të. Në këto kushte për ne është e pamundur që Miraka të marrë mbështetjen në Kuvendin e Shqipërisë. I kërkoj publikisht të pastrojë listën e emrave nga katrani me bojë dhe nëse e bën këtë mund ta konsiderojmë.”

Top Channel