Vizitën e paralajmëruar në fillim të muajit qershor e kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë dhe rajon, po e mirëpresin në spektrin politik dhe shoqërinë civile.

Pozitë dhe opozitë kërkojnë nga kancelari Scholz mesazh të qartë për liberalizimin e vizave, mbështetje ndaj Procesit të Berlinit dhe intesifikim të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për KosovaPress, se kancelari gjerman duhet të thotë “majftë është mjaft” dhe të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës, në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së në fund të qershorit.

Përkrahjen nga lideri evropian, Rexhaj kërkon edhe për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe dialogun me Serbinë.

“Kancelari gjerman shpresoj ta thotë të njëjtën frazë për arsye se Kosova që moti i ka përmbushur kushtet që janë kërkuar për liberalizimin e vizave dhe kjo çështje është prolonguar. Jemi në faza të fundit kur vendet e Bashkimit Evropian duhet t’i thonë po hyrjes në këtë fazë…Shto këtu ne që kemi aplikuar për në Këshillin e Evropës dhe siç po shihet përmes lobimeve dhe deklaratave të presidentëve dhe kryeministrave të Evropës-së kemi mbështetje për anëtarësim në këtë organizatë…Ne jemi për një marrëveshje, për një njohje në qendër siç e ka potencuar edhe kryeministri Kurti, mirëpo nuk jemi për të defunskionalizuar shtetin e Kosovës”, thotë ai.

Vizitën e Scholz në Kosovë e sheh të dobishme edhe deputetja opozitare e AAK-së, Time Kadrijaj.

Ajo kërkon nga institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë momentumin e përkrahjes ndërkombëtare për të shtyrë përpara temat si liberalizimi i vizave dhe dialogu.

“Janë të mirëpritura, ne i gëzohemi faktit se liderët botëror, në këtë rast, kancelari i Gjermanisë ka shprehur dëshirën të vizitojë Kosovën. Ne i kemi aleat dhe miqtë dhe normal se i mirëpresin, njëkohësisht edhe këshillat e tyre. Është një disponim i mirë për çështjen e liberalizimit të vizave, përveç disa vendeve që kanë hezitime për çështjen e liberalizimit të vizave, disa janë në procese zgjedhore…Në çështjen e dialogut të përfshihen edhe vendet tona, siç janë një emisar nga ShBA, që e kemi aleatin më të madh dhe kryesor. Fatmirësisht ne kemi një emisar, të njëjtin e kemi edhe nga Gjermania dhe Britania e Madhe. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë momemtun dhe prej dialogut teknik të kalohet në dialog teknik”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit Epik, Demush Shaha paraqet tri mesazhet kryesore që mund t’i adresojë kancelari gjerman gjatë vizitës në Kosovë.

“Kancelari Scholz dëshiron të nënvizojë se ky rajon është i një rëndësie të veçantë për të personalisht si kancelar. I dyti mesazh është sa i përket rëndësisë së stabilitetit të rajonit dhe vijimësisë së rrugës së tij drejt BE-së. Ky mesazh në veçanti do të sforcohet në kuptimin e zhvillimeve që po ndodhin në Ukrainë, në këtë sfond kancelari do të nënvizojë rëndësinë e avancimit të Procesit të Berlinit dhe qëllimit të tij që në pjesën e dytë të këtij viti të mbajë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Ky do të jetë mesazhi i tij i dytë se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe mjeti kyç do të jetë Procesi i Berlinit. Mesazhi i tretë do të jetë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi si një nga elementet më të rëndësishme të stabilitetit rajonal. Këtu kancelari gjerman do të përsërit atë që e ka thënë në Berlin që sa më shpejtë është me rëndësi që të avancohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”, shton ai.

Nga zyra e kancelarit Scholz për KosovaPress nuk kanë konfirmuar deklarativisht vizitën në Kosovë, mirëpo kanë ripërsëritur një deklaratë të liderit evropian se para mbledhjes së radhës të Këshillit të BE-së do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Albin Kurti, javë më parë pati një vizitë zyrtare në Gjermani, ku u prit në takim nga kancelari Scholz./Kosovapress

Top Channel