“Finalja e Champion ishte një dështim, merrni shembull nga Tirana”/ Liverpool kërkon hetim për vonimin e ndeshjes

29/05/2022 13:06

Një ditë pas humbjes së finales së madhe të Champions League ndaj Real Madridit, Liverpooli kërkon një hetim mbi ato që i quan  “situata të papranueshme” me të cilat u përballen tifozët e tyre, që sollën vonimin e finales së madhe.

Të shumtë janë ata që tani po e quajnë dështim për mënyrën se si u organizua finalja duke e krahasuar me finalen e Conferenve Ligue në Tiranë.

Rrjetet sociale shpërthyen në komente nga tifozët që shkruanin se Parisi duhet të marrë shembull nga Tirana, për mënyrën se si organizoi finalen në 25 maj, ku nuk pati asnjë problematikë.

“Mund ta bënit në Tiranë, ishte çdo gjë gati, Franca komplet kaos, vitin tjetër bëjeni në Tiranë. Në Tiranë ishte organizmi perfekt, turp”, ishin disa nga komentet e shumta në rrjetet sociale.

UEFA vonoi fillimin e ndeshjes me më shumë se 30 minuta, duke përmendur si shkak “arsyet e sigurisë”. Ndeshja në “Stade de France” të Parisit nuk filloi deri në orën 21:36, ndërsa Reali mposhti në fushë  Liverpoolin me rezultat 1-0.

Policia jashtë terrenit të stadiumit  hodhi gaz lotsjellës ndërsa një numër i vogël mbështetësish u përpoqën të ngjiteshin mbi barrierat e sigurisë.

Mbrojtësi i Liverpool-it, Andy Robertson, tha se organizimi i ndeshjes ishte një “shkatërrim total “. Ndërsa oficerët e policisë së Merseyside postuan në Twitter se ishte “ndeshja më e keqe evropiane që kanë punuar ose përjetuar ndonjëherë”.

Imazhe të shumta mbushën rrjetet sociale që tregonin  grumbullimin e turmave të mëdha të fansave që rrinin në radhë për të hyrë. Shumë pretenduan se kishin qenë në stadium disa orë përpara fillimit, por u ndaluan të futeshin.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga problemet e hyrjes në stadium. Kjo është ndeshja më e madhe në futbollin Evropian dhe tifozët nuk duhet të përjetonin skenat që pamë. Ne kemi kërkuar zyrtarisht një hetim për shkaqet”, tha klubi në një deklaratë zyrtare.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA tha se i mirëkupton ata që u preken nga kjo ngjarje dhe do t’i shqyrtojë më tej këto çështje urgjentisht së bashku me policinë dhe autoritetet franceze,.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA